22-vjetori i sulmeve terroriste në SHBA, Kurti: Terrorizmi, një nga kërcënimet për sigurinë botërore
Foto: Laura Hasani

22-vjetori i sulmeve terroriste në SHBA, Kurti: Terrorizmi, një nga kërcënimet për sigurinë botërore

Aktuale September 11, 2023 - 11:14

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe para obeliskut “Kosova Kujton”, në nderim të viktimave nga sulmi terrorist i vitit 2001 në Kullat Binjake.

Kurti në veçanti ka përmendur edhe tre shqiptarët, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, të cilët ishin në mesin e të vdekurve nga ky sulm, shkruan Zeri.info.

Ai ka thënë se kjo tragjedi ka qenë koha kur SHBA-ja është zotuar se terrorizmi s’do të triumfojë, teksa u shpreh se edhe Kosova beson në të njëjtat vlera demokratike sikurse aleatët amerikanë.

“Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Kreu i Qeverisë ndër të tjera u shpreh se demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi. /Zëri