Osmani udhëton në Shkup për të marrë pjesë në Procesin e Bërdo-Brijunit

Osmani udhëton në Shkup për të marrë pjesë në Procesin e Bërdo-Brijunit

Aktuale September 10, 2023 - 15:19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brijunit.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Presidentes, ku thuhet se ajo do të mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse, raporton Zeri.info.

“Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE”, thuhet në njoftim.

Po ashtu u bë e ditur se temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

“Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup”, thuhet ndër të tjera. /Zëri