Mospajtime komunë-AKPPM rreth kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë

Mospajtime komunë-AKPPM rreth kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë

Aktuale September 10, 2023 - 14:48

Nga muaji tetor barnatoret në kryeqytet do të kujdestarojnë 24 orë, thonë nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës. Barnatoret në kryeqytet e mirëpresin këtë vendim.

Por  i njëjti vendim kundërshtohet nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale, të cilët e kanë cilësuar këtë rregullore pa bazë ligjore.

Për herë të parë që nga pas lufta në kryeqytet barnatoret do të punojnë me orar të kujdestarive njëzetekatër orë.  Çdo ditë pune  pesë barnatoret kujdestare do të punojnë 24 orë, ndërsa të dielave dhe gjatë festave do të punojnë 10 barnatore kujdestare. Kështu është shprehur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, i cili ka thënë se qëllimi i kujdestarive të barnatoreve është për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve. Përmes orarit që do të përgatitet, qytetarët do të jenë të informuar paraprakisht për barnatoret kujdestare, në mënyrë që t’i marrin shërbimet kurdo që u duhen.

“Po sa të fillojë kujdestaria e barnatoreve për njëzetekatër orë  në kryeqytet, barnatoret dhe qendrat e mjekësisë familjare do ta kenë të obligueshme t’i shkruajnë oraret  në derë. Nëse një qytetar shkon në ora 24:00 në një barnatore dhe e sheh që është e mbyllur, ai do ta shohë orarin në derë dhe do ta dijë se cila barnatore tjetër është hapur që të shkojë të bëjë zgjidhje pa humbur kohë t’i vizitojë barnatoret e tjera”, tha Sadiku.

Ndërsa në njërën nga barnatoret në kryeqytet njëra nga punëtoret, e cila deshi të mbetet anonime, i tha Radio Kosovës se e mirëpresin këtë vendim pasi që është në të mirën e qytetarëve. Ani pse s’ju ka ardhur ende diçka konkrete me shkrim lidhur me këtë vendim.

“Nëse qytetarët kanë nevojë  që të jenë barnatoret hapur 24 orë, atëherë edhe ne jemi këtu për ta gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Nëse është një vendim që merret për krejt, atëherë edhe ne jemi të pajtimit që të mbajmë kujdestarit. Nuk  jemi kundër kujdestarive. Por që më shkrim nuk na ka ardhur ende asgjë zyrtare”, tha ajo.

Mirëpo, lidhur me këtë vendim ka reaguar Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale, të cilët e kanë cilësuar rregulloren për mbajtjen e kujdestarive pa bazë ligjore. Ata kanë thënë se janë të habitur se si Oda Farmaceutike ka përkrahur një  vendim të kundërligjshëm. AKPPM  ka paralajmëruar së do të shkëpusë marrëveshjen e bashkëpunimit me Odën Farmaceutike nëse vazhdon me qasjen destruktive ndaj Agjencisë.

“AKPPM e cilëson këtë rregullore pa bazë ligjore, sepse bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Udhëzimit Administrativ për Qarkulluesit Farmaceutikë me Pakicë (Barnatoret), AKPPM është i vetmi autoritet kompetent për rregullimin e tregut farmaceutik, që bën licencimin dhe rregullimin e fushëveprimtarisë së barnatoreve në Republikën e Kosovës.  Jemi të habitur se si Oda Farmaceutike involvohet në përkrahjen e një tendence të kundërligjshme për marrjen e kompetencave të nivelit qendror. Dhe  nëse Oda e Farmacistëve vazhdon në të ardhmen me një qasje destruktive ndaj AKPPM-së dhe MSH-së, AKPPM do të shkëpusë marrëveshjen e bashkëpunimit me Odën Farmaceutike, thuhet në reagimin publik të AKPPM-së.

Radio Kosova ka provuar të kontaktojë zyrtarë nga Oda  e Farmacistëve të Kosovës lidhur me këtë çështje, por kjo ka qenë e pamundur./rtk