Njëvjetori i Planit franko-gjerman, Kurti me kërkesë ndaj SHBA-së e BE-së

Njëvjetori i Planit franko-gjerman, Kurti me kërkesë ndaj SHBA-së e BE-së

Aktuale September 09, 2023 - 20:27

Në një vjetorin e prezantimit të planit franko-gjerman nga ndërkombëtarët kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Serbia edhe ka rënë dakord me versionin përfundimtar të Marrëveshjes Bazike, të arritur në Bruksel më 27 shkurt të këtij viti, “por tani kërkon ta minojë”.

E për këtë Kurti ka bërë një kërkesë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjera që t’i bëjnë thirrje Serbisë që të përmbushë detyrimet e saj.

“1 vit më parë, BE-ja me lidershipin e Francës dhe Gjermansië na prezantoi një projekt-traktat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Serbia ra dakord me versionin përfundimtar më 27 shkurt, por tani kërkon ta minojë atë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë duhet ta nxisin Serbinë që të përmbushë detyrimet e saj të traktatit – plotësisht dhe pa kushte”, ka shkruar Kurti në Facebook.Ndërkaq, sa i përket dakordimit me 27 shkurt, zëvendëskryeministri, Besnik Bsilimi, gjatë ditës së shtunë për median serbe ”Danas” ka thënë se Kosova atë ditë ka bërë një lëshim të madhe, pasi njohja formale nuk ishte aty.

“Serbia është pajtuar me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa kemi tani. Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Bislimi.