Alpet shqiptare, destinacioni i mbi 107 mijë turistëve vetëm në gusht

Alpet shqiptare, destinacioni i mbi 107 mijë turistëve vetëm në gusht

Aktuale September 09, 2023 - 18:56

 Turizmi malor vitet e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar për vendasit, por edhe turistët e huaj.

Natyra e egër dhe e paprekur nga dora e njeriut, peizazhe mbresëlënëse, ecjet në brigjet malore janë gjithçka që zgjojnë kuriozitetin e të pasionuarve pas turizmit malor.

Një ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti është Parku Kombëtar Alpet, i cili përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin dhe Bogën.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bën të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij viti ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku vetëm në muajin gusht u vizituan nga 107 500 turistë, nga të cilët 66 mijë vendas dhe 41 500 të huaj”.

Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./atsh