Ramadani: Punëtorët e RTK-së që punojnë nuk e kanë problem të raportojnë
Foto: Laura Hasani

Ramadani: Punëtorët e RTK-së që punojnë nuk e kanë problem të raportojnë

Aktuale September 09, 2023 - 14:41

Pas vendimit të bordit të RTK-së për raportim të punës nga ana e punëtorëve të mediumit të vetëm publik, reagimit të sindikatave të punëtorëve të RTK-së, ka reaguar edhe kryetari Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal i Kuvendit të Kosovës, Valon Ramadani.

Ramadani tha se punëtorët e RTK-së që punojnë nuk e kanë problem të raportojnë dhe se numri i atyre që nuk e kanë mirëpritur këtë rregull të Bordit është i ulët.

“Së fundmi është debatuar në publik për një vendim në mbledhjen e fundit të Bordit të RTK-së që të gjithë punëtorët e këtij institucioni, në baza mujore të raportojnë për punën e tyre ditore”, ka shkruar Ramadani në ‘Facebook’.

Sipas tij kjo detyrë si duket nuk është pëlqyer nga disa punonjës në RTK dhe mendimi i parë që vjen pasi sheh qëndrime të tilla është se ata që e kundërshtojnë vendimin e Bordit janë ata që s'kanë çfarë të raportojnë.

“Unë besoj se numri i atyre që nuk e kanë mirëpritur këtë rregull të Bordit është i ulët. Sepse unë dua të besoj që ata që potencialisht nuk punojnë aq sa duhet janë pak. Pjesa më e madhe që punojnë me të vërtetë, nuk e kanë problem ta prezantojnë punën e bërë. Kjo është diçka krejtësisht normale, praktikë e cila aplikohet në shumë vende të zhvilluara, që tregon llogaridhënie ndaj parasë publike dhe rrjedhimisht është arsyetim i meritës për pagën që secili e merr, paralelisht duke e publikuar punën e bërë gjatë muajit, për të cilën paguhen”, thekso ai.

Ndryshe Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në mbledhjen e fundit ka kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së, që të fillohet me aplikimin mujor që përshinë raportimin e aktiviteve ditore për punëtorët e RTK-së.

Ky vendim ka ngjallur reagime nga tri sindikata që mbrojnë të drejtat e punëtorëve të RTK-së.