Shkodra i vlerëson pozitive aksionet e Policisë së Kosovës në veri

Shkodra i vlerëson pozitive aksionet e Policisë së Kosovës në veri

Aktuale September 08, 2023 - 18:39

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, i sheh pozitive aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit sa i përket konfiskimit të armëve bashkë me prezencë të KFOR-it.

Shkodra, thotë se Policia e Kosovës ka qenë transparente gjatë kohës kur ka operuar në veri të Kosovës.

“Nga transparenca nuk duhet të ketë frikë askush, Policia e Kosovës ka qenë transparente gjatë gjithë kohës që ka operuar në veri të Kosovës. Mendoj që asistenca e KFOR-it dhe e Policisë së EULEX-it atje dhe aksionet e tilla veçanërisht kur kemi të bëjmë me konfiskimin e një numri të madh të arsenalit të armëve, mendoj që tregon se këtyre mekanizmave se kemi të bëjmë me një rajon ku organizohet qysh nga organizatat terroriste deri tek grupet e ndryshme mafioze që kanë vetëm një qellim destabilizimin e vazhdueshëm të asaj pjese”, tha ai në Tëvë1.

Shkodra, sheh reduktim të kontrabandës dhe kriminalitetit në veri, duke thënë se statistikat në luftimin e këtyre dukurive janë rritur.

“Policia e Kosovës ka kryer kontrolle sistematike atje (në veri) kohëve të fundit dhe ka pasur një situatë, e cila i ka bërë që të ndërmarrin aksione të vazhdueshme. Kuptohet që ndryshimi i gjendjes në terren është në favor të sigurisë së asaj pjese atje dhe besoj që edhe statistikat në luftimin e këtyre dukurive janë të rritura, për shkak se ka qenë një gjendje mobile e gjithë Policisë së Kosovës, fokusi ka qenë aty duke përfshirë edhe Njësitë Speciale dhe kem disa instalime të stacioneve policorë në pika kyçe që kanë qenë në të kaluarën e janë shfrytëzuar për kontrabandim të mallrave dhe gjësendeve të tjera”, shtoi ai.