Kurti për median polake: Kosova e Ukraina i takojnë BE-së, e përbashkëta jonë është se i kemi fqinjët agresivë
Foto: Laura Hasani

Kurti për median polake: Kosova e Ukraina i takojnë BE-së, e përbashkëta jonë është se i kemi fqinjët agresivë

Aktuale September 08, 2023 - 14:30

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ngjashmëritë e Kosovës dhe Ukrainës janë në atë se të dyja vendet i takojnë Bashkimit Evropian.

Përveç aspiratës në BE, Kurti tha se Kosova e Ukraina e kanë edhe një të përbashkët – të dyja vendet kanë fqinj veriorë, të cilët janë agresivë dhe nuk duan të ballafaqohen me të kaluarën.

“Por në të kundërtën duan që të kenë të gjithë apo së paku një pjesë të territorit tonë. Në anën tjetër Moska e Beogradi janë të lidhura në mes vete në mënyrë direkte dhe këto lidhje janë në sektorin energjik, kulturor e historik por po ashtu edhe në aktivitete ushtarake”, tha Kurti për median polake “TVP World”, transmeton klankosova.

Tutje, Kurti tha se politikani më prorus në Serbi është Aleksandar Vulini, dhe këto lidhje mes Beogradit e Kremilinit, sipas tij, e bëjnë edhe më tepër të njëjtë situatën e Kosovës dhe Ukrainës.

“Serbia nuk është Rusi, ne e kemi NATO-n në Kosovë. Serbia do të dështojë. Ne kemi arritur marrëveshje për deeskalim në veri dhe kemi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila në qendër ka njohjen de fakto”, tha ai.