Osmani udhëton për në Bruksel, do të takohet me Stoltenbergun

Osmani udhëton për në Bruksel, do të takohet me Stoltenbergun

Aktuale September 06, 2023 - 16:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidentes përmes një njoftimi për media, në të cilin thuhet se të enjten, në orën 14:00, Presidentja Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

Po ashtu bëhet e ditur se pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Presidentja do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim. /Zëri