Kurti rendit sukseset që ka korrur Policia e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Kurti rendit sukseset që ka korrur Policia e Kosovës

Aktuale September 06, 2023 - 13:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka kujtuar se si kjo forcë po lufton grupet kriminale dhe po mbron sovranitetin e vendit.

“24 vjet në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson Policinë tonë. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë”, shkroi kryeministri Kurti në Facebook.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, shkroi Kurti, “jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit. Të gjithë zyrtarëve policorë që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës ua uroj 24-vjetorin e themelimit të Policisë.

Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngremë e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë”, përfundon Kurti.