LDK-ja vazhdon edhe sot mbledhjen për finalizimin e programit “Rruga e Re”

LDK-ja vazhdon edhe sot mbledhjen për finalizimin e programit “Rruga e Re”

Aktuale September 06, 2023 - 12:43

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon edhe sot ditën e dytë të mbledhjes me aktorët kryesorë të partisë për finalizimin e programit “Rruga e Re”.

Sipas zyrtarëve të këtij subjekti, edhe sot po diskutohet “intensivisht rreth detajeve të fundit të projekteve madhore që përfshijnë sektorin e ekonomisë, energjisë, arsimit etj”.

Njoftohet se paralelisht po vazhdojnë punëtoritë grupore të ndarë në sektorë të ndryshëm.

“Ky program ka për qëllim të tejkalojë mendësinë e vjetër të mospunës dhe jo kompetencës, një realitet me të cilin Kosova po përballet për një kohë të gjatë. Programi ‘Rruga e Re’ flet vetëm për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Projektet madhore që janë paraqitur gjatë këtyre takimeve, e që do të jenë pjesë e programit ‘Rruga e Re’ janë projektet më të mëdha që mund të ndodhin gjatë 30 vjetëve të fundit”, theksojnë nga LDK-ja.

“LDK-ja rikonfirmon angazhimin e saj ndaj vlerave të djathta dhe është e përkushtuar për integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me këtë program, LDK-ja shpreh një qëndrim të qartë ndaj ndryshimit dhe përmirësimit të gjendjes së vendit në të gjitha dimensionet”, thuhet më tej.

Sipas LDK-së, dita e dytë e mbledhjes shënon një fazë të rëndësishme në finalizimit e programit “Rruga e Re”, duke i dhënë formën përfundimtare vizionit që LDK-ja do të prezantojë për qytetarin e Kosovës. /eo