Dëshmitari Agim Idrizi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” tha se ndalimi dhe arrestimi i tij u bë për arsye private
Dëshmitari pa masa mbrojtëse, Agim Idrizi, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka thënë se ndalimi dhe arrestimi i tij është bërë për arsye private dhe se nuk është çështje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë dëshmitari e tha duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, duke iu referuar problemit me Enver Axhamin dhe Habib Kokën.
Ai pohoi se në dëshmi të mëparshme kishte thënë se “unë nuk kisha gjë kundër UÇK-së apo shqiptarëve tjerë, kisha probleme vetëm me këta persona dhe ishte çështje private dhe jo çështje shtetërore” dhe “të gjithë e dinin se ishte problem toke dhe asnjë tjetër, e kanë marrë vesh krejt se krejt shkak i tokës u bo ky problem tek unë”.
Tutje, përsëri u pajtua se kjo çështje nuk ishte çështje e UÇK-së, por se ishte problemi i tokës.
Paraprakisht, ai sqaroi të tilla probleme duke thënë se familja Axhami dhe Koka kishin përhapur gënjeshtra për të madje u pajtua se kidnapimi i tij është bërë dhe nxitur nga familja Axhami.
Problemi sipas tij ishte se kushëriri i tij, Qazim Bajrami ia kishte shitur tokën një fqinji Bajram Brutit, kurse atë tokë e kishte dashtë Enver Axhami por se fillimisht nuk kishte pasur para, por që të njëjtat i kishte marrë tek një person me emrin Sami Runeva dhe se me gjashtë persona ia kishin sjellë paratë në shtëpi Qazimit dhe kishin ikur.
“I ka hi natën me gjashtë vetë, ia ka flug paratë n’shpi edhe ka ikë’’, tha dëshmitari.
Ai madje tha se kur ishte arrestuar dhe ishte dërguar në “Bob”, ishte befasuar kur kishte parë Enver Axhamin duke e pritur dhe se ai kishte filluar menjëherë ta marrë në pyetje për pjesën e tokës.
Idrizi sqaroi se ajo tokë ishte në fshatin e tij në Lanishtë, rreth 7 ari tokë bujqësore por e papunuar, e që më pas pronari i ligjshëm i tokës e kishte punuar.
Ai tha se me Enverin dhe familjen e tij kishin tentuar të pajtoheshin edhe përmes njerëzve të ngritur të Prishtinës edhe përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që ai s’kishte pranuar dhe i kishte sharë të gjithë.
Dëshmitari shtoi se kushëriri i tij kishte qenë një djalë, kurse Enveri kishte pasur edhe gjashtë vëllezër, andaj nuk kishte mundur t’i kthejë paratë dhe se ai edhe ashtu nuk i pranonte.
Kurse, tha se me një shqiptar kishte shkuar tek një gjykatës në Prishtinë dhe kishte sqaruar situatën, kur më pas Qazimi dhe Bajrami kishin komunikuar me të për ta trajtuar çështjen tutje.
Më tej, ai mohoi edhe akuzën që Enver Axhami i kishte bërë se kinse është spiun i Sali Brudës, duke sqaruar se me të kishte pasur kontakt vetëm kur kishte marrë disa drunj në mal duke menduar se janë të shtetit dhe se kur ishte lajmëruar ai se janë të tij, dëshmitari ishte pajtuar t’ia paguante.
Ndërkaq, tha se ai e di se nga familja Axhani i kanë vjedhur lopën me mëzatin, por se kurrë nuk i kishte lajmëruar në polici.
Në vazhdim, tha se familja Axhami kishin rrahur djalin e axhës së tij e edhe djalin e vëllait, por se policia nuk kishte marrë masa për këtë.
Idrizi tha se Enver Axhami dhe Habib Koka i kanë shkaktuar shumë dëm dhe i kanë vendosur emrin e tij në lista me qëllim për ta likuiduar se nuk e kanë dashur.
Lidhur me dëshminë e tij të mëparshme ku UNMIK-ut i kishte thënë se ka pasur 16 probleme/çështje dhe pas kësaj e ke bërë të qartë dhe UÇK-ja nuk kishte dijeni se Enveri e arrestoi në mes të natës dhe e merrte në pyetje, dëshmitari tha se ‘‘me pas ditë UÇK-ja i kish ra poshtë, nuk e kanë pa, m’ka mbajt në vëzhgim vetë pa prezencën e UÇK-së, ka dashtë me m’likuidu, mos me ditë kurrkush ku jam a ku s’jom’’.
Në vazhdim, dëshmitari është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit. /BetimipërDrejtësi