Gjergji për Nënën Terezë: Shtriu dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë
Foto: Laura Hasani

Gjergji për Nënën Terezë: Shtriu dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë

Aktuale September 05, 2023 - 15:40

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, gjatë meshës solemne në nderim të Nënës Terezë ka dhënë mesazhe të paqes e humanitetit. Ai ka çmuar kontributin e humanistes shqiptare, duke e marrë si model.

“Rrallëherë populli ynë ka pasur mundësi që një shenjë nga qielli, i konfirmuar nga kisha, ta shtrijë dorën e ndërmjetësimit dhe ndihmës për të gjithë njerëzit në nevojë”, ka thënë ai gjatë ceremonisë.

Gjergji ka thënë se Nënë Tereza e ka kënduar himnin e dashurisë duke dhënë për të varfëritë. Tutje shtoi se ajo duke dhënë ndihmë për të varfëritë, është pasuruar shpirtërisht.

“Vetëm atë që dhuron është e jotja, gjithçka tjetër i takon Zotit. Nënë Tereza në gjithë jetën e saj është përpjekur që të jetë e përvuajtur, derisa i ka dhënë një gotë ujë të varfëritë. Këtë e kam përjetuar vetë më 4, 5, 6 mars të vitit 1991 kur ajo na shërbente në shtëpinë e saj darkën dhe mëngjesin. Ajo u bë zëri më i famshëm dhe më i fuqishëm i dashurisë në shekullin 20, sepse nuk pati frikë se do ta gjykonim të tjerët, as se do të humbte mbështetjen", ka thënë Gjergji, raporton rtk.