Kurti dhe shefi i OSBE-së flasin për zgjedhjet në veri, kryeministri i tregon edhe për kërcënimet nga Beogradi

Kurti dhe shefi i OSBE-së flasin për zgjedhjet në veri, kryeministri i tregon edhe për kërcënimet nga Beogradi

Aktuale September 05, 2023 - 15:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së OSBE-së.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës.

“Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me Nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve joshumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen.

“Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.