KMDLNJ-ja kërkon hetim të vendimit për tekstet shkollore

KMDLNJ-ja kërkon hetim të vendimit për tekstet shkollore

Aktuale September 05, 2023 - 11:56

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar të hetohet vendimi i Ministrisë së Arsimit që këtë vit shkollor prindërit të marrin përsipër sigurimin e librave për fëmijët e tyre, por me subvencionim nga shteti.

Përmes një njoftimi për media, nga KMDLNJ-ja kanë bërë të ditur se kanë monitoruar disa pika ku qytetarët po i blejnë tekstet shkollore, sikur që kanë pranuar informata me telefon nga prindërit.

Ndonëse procesi mësimor në shkollat e nivelit parauniversitar ka filluar tash e tri ditë, KMDLNJ-ja thotë se radhët për blerje të teksteve shkollore janë të gjata.

“Prej 15 deri në 45 prindër që presin në çastin e monitorimit, për dallim nga viti i kaluar kur po kjo qeveri dhe po kjo ministri kishte shpërndarë tekste shkollore falas sipas standardeve të qeverive paraprake që ishte, edhe më efikase, edhe më pak e kushtueshme. Nëse kemi parasysh faktin se shumë prindër janë të punësuar, ata duhet të marrin ditë të lirë në mënyrë që t’i blejnë librat ose, edhe më keq, gjyshet apo gjyshërit e nipave dhe mbesave detyrohen të presin në radhë për blerje të librave. Opozita thirri një mbledhje të jashtëzakonshme pikërisht për këtë situatë të krijuar me tekste shkollore të cilën e cilësuan si dështim, mirëpo pozita e shpërfilli këtë seancë të jashtëzakonshme duke injoruar kërkesën e deputetëve të opozitës sikur edhe duke e relativizuar gjendjen e krijuar”.

“Reagimi i Këshillit të Prindërve do të duhej të ishte shumë më i vendosur aq më parë që mungesa e teksteve shkollore pengon mbarëvajtjen e mësimit, fëmijëve të tyre. Natyrisht se SBASHK–u nuk ka reaguar sepse nuk e konsideron se është pjesë e mandatit për faktin se mbron interesat e arsimtarëve e jo të nxënësve ndonëse kjo mungesë ndërlidhet dhe ua vështirëson punën të gjithë mësimdhënësve të angazhuar në procesin mësimor”, thuhet në njoftim.

KMDLNJ-ja ka kërkuar që të hetohet nëse kjo mënyrë e pajisjes me tekste shkollore ruajtur apo e ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe pas kësaj të përcaktohet përgjegjësia e mundshme institucionale, profesionale dhe ligjore.

“Për KMDLNJ-në mbetet i paqartë fakti pse MASHTI shmangu mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore nëse vitin e kaluar ishte e vlerësuar si e suksesshme kur, në ndërkohë ishte dhe mbeti e njëjta përmbajtje edhe e qeverisë sikur edhe e MASHTI-t, i njëjti kryeministër dhe e njëjta ministre. Është e pabesueshme se si pas gjithë kësaj tollovie askush nuk fletë për përgjegjësi (nga radhët e pozitës) ndonëse flitet se janë ndarë më shumë mjete se që ishin ndarë në vitin paraprak ndërsa efikasiteti ka rënë për tokë. Kush e paguan mundin e prindërve dhe orët e humbura sepse pa tekste shkollore mësimi mbahet sa për të plotësuar kushtet e kontratës e jo për të shpërndarë dije”.

“KMDLNJ-ja vlerëson se kjo tollovi e krijuar, pa asnjë arsye dhe pa asnjë nevojë, ngjallë dyshime te tenderimi sepse oferta e shtëpive botuese të teksteve shkollore nuk dallon shumë nga mjetet e ndara për këtë prandaj duhet që MASHTI të sqarojë pse u përcaktua për subvencionim që po del të jetë më i kushtueshëm e jo për mënyrën që e kishte zbatuar MASHTI dhe ministria aktuale vitin e kaluar. KMDLNJ–ë vlerëson se reagimi i opinionit ka qenë jashtëzakonisht i butë dhe në kundërshtim me seriozitetin e situatës së krijuar. Pikërisht organizatat që mbrojnë të drejtat e nxënësve dhe angazhohen për një arsimim më cilësorë është dashur të reagojnë duke shfaqur mospajtim publik e jo ta kalojnë në heshtje sikur që rasti të ndodhte në Kore të Veriut apo Iran. Se ky veprim i MASHTI, i pastudiuar mirë, i ngutshëm dhe i pakoordinuar me Këshillin e Prindërve shkel të drejtat e njeriut, nuk ka asnjë dyshim nëse i referohemi Nenit 26 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara; Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës”, përfundon reagimi.