Rinovimet shkurtojnë orët mësimore në disa shkolla
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Rinovimet shkurtojnë orët mësimore në disa shkolla

Aktuale September 04, 2023 - 20:17

Zilja e shkollës ra më herët se zakonisht. Kjo pasi orët e mësimit në shkollën fillore “Gjergj Fishta”, zgjatën vetëm 30 minuta.

E gjitha kjo, pasi kjo shkollë në kryeqytet, i është nënshtruar renovimeve të thella.

E këto punime  kanë vazhduar  edhe të hënën.

Krahas tyre po vazhdon edhe mësimi, ani pse vetëm në njërën pjesë të shkollës.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Supie Zhitia, thotë  për Tëvë 1 se shkaku i punimeve e hartuan planin B, për këtë vit të ri shkollor.

“Neve bëmë një plan B, të modifikuar, dhe kemi startuar me tri ndërrime, për dallim nga ajo që më parë kemi punuar me dy ndërrime. Edhe kohëzgjatja e orëve mësimore prej 45 minuta ka dal në 30 minuta për me arrit më përfshirë edhe ndërrimin e tretë…Por po punojmë me gjysmën e kapacitetit”, shprehet ajo.

Zhitia ka thënë se kjo shkollë, u themelua në vitin 1961.

Prandaj e quan më fat, faktin që Komuna e Prishtinës e përzgjodhi në mesin e shkollave për renovime të tërësishme.

“Shkolla është themeluar në vitin 1961 dhe në dy situata të ndara i janë shtuar dy ankese dhe konsiderohet pjesa e vjetër dhe ajo e re. Pra, rinovimet po bëhen në pjesën e vjetër të shkollës dhe ato klasë që i takojnë këtij objekti pa ankese, janë duke u rinovuar. Fakti që shkolla po përfiton, nxënësit dhe i gjithë komuniteti, po ja vlen barra qiranë për me u përball me gjithë këto sfida, por nuk është e lehtë më u përball me gjithë këto sfida, por është e menaxhueshme”, thotë Zhitia.

E njohësit e çështjeve të arsimit, thonë se këto, po ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e mësimit në këto shkolla.

Përveç shkollës fillore “Gjergj Fishta”, në kryeqytet, renovimit të terësishëm i është nënshtruar edhe shkolla fillore “Meto Bajraktari”, “Naim Frashëri”, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Gjin Gazulli”.

Tëvë1 të hënën ka pyetur në Komunën e Prishtinës së kur pritet të përfundojnë këto punime.

Por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.