Partia “Guxo” thotë se po krijohet terren i përshtatshëm që kërcënimet ndaj Kurtit të bëhen realitet
Foto: Arkiv

Partia “Guxo” thotë se po krijohet terren i përshtatshëm që kërcënimet ndaj Kurtit të bëhen realitet

Aktuale September 01, 2023 - 18:24

Partia “Guxo” ka dënuar ashpër kërcënimet me vrasje që ditët e fundit i janë bërë kreut të ekzekutivit, Albin Kurti.

Sipas tyre një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe se organet e drejtësisë duhet që të reagojnë menjëherë ndaj këtyre personave, raporton Zeri.info.

“Partia GUXO dënon ashpër kërcënimet me vrasje që ditëve të fundit po i bëhen kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Kërcënimet në varg, që i bëhen z. Kurti, nga eksponentë të ashtuquajtur, të krahut “radikal”, që mbrojnë “vlerat e luftës”, në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar e të Kosovës, nga injorantë e trushplarë, janë veprime të cilave duhet prerë rrënjët menjëherë nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush nuk ka tagrin që të ndajë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë dhe të lëshojë ‘fetva’ për dënimin me vrasje të ‘tradhtarëve të atdheut'”, thuhet në njoftim.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se ka shumë raste kur ndaj Kurtit bëhen propaganda, siç është deklarata se ai është bashkëpunëtor i Serbisë e “Guxo” thotë se kërcënimet e tilla s’duhet të trajtohen si të rastësishme.

“Koincidenca, kur këto kërcënime bëhen, bashkë me shpalljen e Kurtit si bashkëpunëtor dhe argat i Serbisë nga ndonjë lider partiak dhe nga eksponentë të rëndësishëm politikë e medialë, si dhe deklaratat e krerëve të Serbisë se Kurti rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon me luftëra të reja dhe se ai gjoja të vetmin qëllim ka spastrimin e Serbëve nga Kosova përmes dhunës dhe kërcënimeve, nuk mund të konsiderohen si të rastësishme dhe të injorohen”, thuhet në reagim.

Ndër tjera në reagim thuhet se kontaminimi i tillë i opinionit publik krijon një terren të përshtatshëm që kërcënimet e tilla të bëhen realitet.

Po ashtu ata thonë se organizatat e dala nga lufta dhe partitë politike duhet të distancohen “nga gjuha kërcënuese e eksponentëve dhe militantëve të vet”./Zëri