Shqiptarët në Serbi janë më të diskriminuarit në Evropë, thotë Bislimi
Foto: Arkiv

Shqiptarët në Serbi janë më të diskriminuarit në Evropë, thotë Bislimi

Aktuale September 01, 2023 - 17:53

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është shprehur se komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës është ndër më të shtypurit në Evropë.

Ai ka thënë se një situatë e tillë kohëve të fundit është përhapur në mënyrë alarmante në institucionet shëndetësore të Serbisë, meqë nga 1316 punonjës në spitalin rajonal në rrethin e Vranjës asnjë nuk është shqiptar, shkruan Zeri.info.

“Diskriminimi i minoritetit shqiptar është përhapur në mënyrë alarmante në institucionet shëndetësore të Serbisë. Nga 1316 punonjës në spitalin rajonal në rrethin e Vranjës, asnjë nuk është shqiptar, pavarësisht se 30% e popullsisë që merr shërbime shëndetësore është shqiptare”, theksoi ai ndër tjera.

Përveç kësaj ai tha se serbët nuk lënë asnjë moment pa nxitur urrejtje, pasi disa tifozë zbuluan një pankartë ku shkruhej se “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” gjatë një ndeshjeje miqësore kundër klubit italian “Fiorentina”.

E kujtojmë se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq gjatë fjalimit në Bled të Sllovenisë teksa foli për komunitetin shqiptarë atje tha se “ata nuk po i qëllon askush”, e kjo deklaratë nga shumë analistë e politikanë u pa si një mesazh që thotë se “Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”. /Zëri