Kusari-Lila pas djegies së Muzeut të Muzikës, akuza për qeverisjen në Gjakovë

Kusari-Lila pas djegies së Muzeut të Muzikës, akuza për qeverisjen në Gjakovë

Aktuale August 31, 2023 - 10:03

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur e trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Kusari-Lila, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë mandatit të saj e ka vlerësuar të nevojshme një destinim për historinë e krijimtarisë muzikore nga Gjakova.

Sipas saj, qeverisja aktuale në Gjakovë nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore, raporton Zeri.info.

“Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe ta ruajë Muzeun, dihet. Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, shkroi ajo.

Postimi i plotë:

E trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Objekti përveçse ishte objekt nën mbrojtje, kishte vlerë dhe rëndësi të veçantë për ridestinimin që ia dhamë në korrik të vitit 2016.

Gjakova dhe muzika e krijuar ndër gjenerata kanë qenë jo vetëm shprehje e talentit për veprimtari krijuese, por edhe mënyrë se si Gjakova i ka rezistuar shtypësve të një pas njëshëm duke ruajtur shpirtin e saj dhe duke e përcjellë gëzimin, dhimbjen dhe lavdinë e rezistencës e trimërisë gjeneratë pas gjenerate.

Andaj në mandatin tim si kryetare e Komunës së Gjakovës, e vlerësuam se ishte më se e nevojshme të kishte një destinim për historinë e krijimtarisë muzikore nga Gjakova, vlerë kombëtare për gjithë shqiptarinë.

Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe ta ruajë Muzeun, dihet. Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale.

Ky objekt duhet medoemos të rikthehet ashtu siç ishte. Duhet të rindërtohet dhe për të duhet të kujdeset Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas rindërtimit duhet ta marrë menaxhimin dhe përkujdesjen ndaj tij me destinimin paraprak, Muzeu i Muzikës shqipe.

Komuna nuk e ka as interesimin dhe as kapacitetin të ruajë dhe mbledhë artefaktet muzikore. Në vitin 2016 ishte bërë i tillë me kujdesin dhe përkushtimin e drejtorit të Kulturës të asaj kohe, Meriton Ferizi, për çfarë i jam mirënjohëse.

Por, menaxhimi dhe përkujdesja e vazhdueshme me mundësi të mirëmbajtjes së mirëfilltë të Muzeut do të jetë sfidë gjithmonë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përhershme.

Të shkatërrosh është gjithmonë më lehtë se të ndërtosh e ruash, por vlerësohemi për çfarë ndërtojmë e lëmë pas dhe jo çfarë shkatërrojmë.

Për rikujtesë, po ndaj fotot nga inaugurimi i Muzeut të Muzikës, 17 korrik 2016!