Hajdari: Pesë bizneseve për emërime antikushtetuese u është shfuqizuar certifikata
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se ARBK-ja ua ka shfuqizuar certifikatën pesë bizneseve, të cilat janë në mesin e 48 prej tyre që kanë emërtime antikushtetuese.
Ajo ka thënë se menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK-ja ka filluar sot hapat administrativë të parashikuar me ligj.
Bizneseve që u është shfuqizuar licenca, sipas Hajdarit, merren me blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.
“Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK-ja ka filluar sot hapat administrativë të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese. Këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”. Bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor”, shkroi Hajdari, përcjell teve1.
Ajo ka thënë se ARBK-ja të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera, të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
MINT-i për arsye të njëjtë ia ka shfuqizuar certifikatën e biznesit edhe Klan Kosovës, veprim ky që ka ngjall reagime të shumta. Për këtë të hënën po protestohet në Prishtinë.