
Pushteti me ushtrues detyre, nëntë ministri pa sekretarë funksionalë
Gjysmën e mandatit e ka kaluar, por Qeveria Kurti II ende nuk i ka plotësuar të gjitha pozitat e larta drejtuese në qeveri dhe në agjenci e institucione të tjera ekzekutive.
Pozitat më të larta të shërbimit civil, ajo e sekretarit të përgjithshëm dhe e drejtorëve ekzekutiv udhëhiqen me ushtrues detyre në 28 nga 58 pozitat e larta drejtuese të ekzekutivit.
Nga 15 ministri, vetëm gjashtë prej tyre kanë sekretar të përgjithshëm të zgjedhur me mandat të plotë, ndërsa nëntë ministri të tjera, duke përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, pozitën më të lartë të shërbimit civil e ushtrojnë me ushtrues detyre.
Për pozitën e sekretarit të përgjithshëm, Zyra e Kryeministrit ka hapur së paku dy konkurse dhe ndonëse në të dyja rastet u publikua lista me emrat e kandidatëve fitues, kjo pozitë vazhdon të udhëhiqet me ushtrues detyre apo zëvendësues.
Për më tepër kjo pozitë mbulohet nga Arben Krasniqi, i cili në asnjërin konkurs nuk ishte i pari në listë.
Me ushtrues detyre të drejtorit po funksionojnë edhe tri agjenci brenda Zyrës së Kryeministrit.
Pozitën e sekretarit të përgjithshëm me mandat të plotë nuk e gëzoi as Besim Kamberaj në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Ndonëse, Kamberaj më 1 tetor të 2021-ës, u shpall fitues në konkursin për sekretar të përgjithshëm, ai aktualisht vazhdon të mbajë detyrën e zëvendës sekretarit në këtë ministri.
Kjo pasi që emri i tij as pas gati dy vjetësh nuk u miratua nga qeveria.
Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bëri katër tentime për të zgjedhur sekretarin e përgjithshëm.
Megjithatë, edhe pas katër konkurseve, kjo pozitë mbulohet me ushtrues detyre.
Pa udhëheqës ka mbetur edhe Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) në kuadër të kësaj ministrie, e cila në vend të drejtorit ka ushtrues detyre.
Drejtorët nuk janë zgjedhur as për katër institucione brenda Ministrisë së Drejtësisë.
Nga Ministria e Drejtësisë janë arsyetuar se dështimi në zgjedhjen e këtyre drejtorëve buron në mungesën e kandidatëve të duhur.
Zëvendësuesit po mbajnë karrigen e drejtorit edhe në tri agjenci të Ministrisë së Financave, në Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
Në dorën e ushtruesit të detyrës ka mbetur edhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Kulturës.
E edhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Konkursi për drejtor të kësaj agjencie është hapur në mars të 2023-ës, për t’u shtyrë, anuluar e për t’u hapur prapë në muajin korrik.
E Ministria e Punëve të Brendshme e cila është përgjegjëse për secilin konkurs për zyrtar publikë, nuk arriti t’i zgjidhte drejtorët as për pesë institucione që janë nën ombrellën e saj.
Klan Kosova ka kontaktuar me këtë ministri për të kuptuar se pse deri tani nuk janë zgjedhur sekretarët e përgjithshëm në ministri e në Zyrën e Kryeministrit, si dhe drejtorët e agjencive dhe institucioneve të tjera, por as pas një jave nuk ka pranuar përgjigje.