AAK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për pagën minimale
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mbështetur edhe nga dy deputetë të tjerë të pavarur, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli, sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale, i cili ditë më parë është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në kërkesën për ta vlerësuar Kushtetuesja këtë ligj kanë adresuar tri çështje, që sipas tij janë edhe shkelje të të drejtave të njeriut, duke përmendur edhe veteranët e UÇK-së, transmeton Zeri.info.
Sipas tij, Qeveria ka bërë shkelje flagrante më këtë ligj.
“Në kërkesën tonë për vlerësimin e kushtetutshmërisë i kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme, e para këshilli ekonomik social nuk është konsultuar asnjëherë sa i përket pagës minimale, tregon për një shkelje flagrante që Qeveria ka bërë.
E dyta, është diskriminimi i palëve të cenueshme, pra të verbërve, të paraplegjikëve dhe të tetraplegjikëve të cilët nuk janë përfshirë në këtë projektligj dhe janë larguar, ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejt e vlerave dhe të drejtave të njeriut.
E treta, lidhet me veteranët e UÇK-së, rast ky që është jo vetëm shkelje por edhe lidhet me vlerat që kjo kategori përfaqëson”, deklaroi Tahiri në konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese.
Tahiri tha se pret nga Kushtetuesja ta vlerësojë dhe se është bindur që me rrëzimin e këtij ligji do të thyen dy padrejtësi.
“Presim nga Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë dhe jemi të bindur se ky rast do t’i thyejë dy padrejtësi, e para lidhet me mashtrimin e shumës së pagës minimale, i bëj thirrje ministrit të Financave të na tregojë se kush e ka sot pagën minimale 260 euro, sepse sot nuk ka asgjë të tillë në sektorin publik dhe privat dhe e dyta, ligjet me dinjitetin e veteranëve të UÇK-së”, shtoi Tahiri. /Zëri