Jasharaj i reagon ministrit Murati: U mundove të shkatërrosh sindikatat, përballu tash me drejtësinë
Foto: Laura Hasani

Jasharaj i reagon ministrit Murati: U mundove të shkatërrosh sindikatat, përballu tash me drejtësinë

Aktuale July 16, 2023 - 15:21

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj përmes një reagimi publik drejtuar ministrit të Financave ka thënë se Hekuran Murati është munduar që të shkatërroj sindikatat.

Sipas Jasharjt, tash ministri Murati duhet të përballet me drejtësinë.

"Turp e turpi ju mbuloftë se unë erdha në SBASHK për të udhëhequr me këtë sindikatë që mbrojti arsimin shqip në vitet e historisë sonë nga furtunat e pushuesit me betimin e premtimin dhënë punëtorëve të arsimit se do të ruaj figurën e mësuesit dhe pishtarëve të dijes. Ti e di cilën përgjigje ta dha para ca muajve prokuroria lidhur me gënjeshtrën e shpifjen tënd për mjetet në SBASHK dhe unë nuk dola të krekosem para medieve se me ju nuk ndjej më arsye të flas e të ballafaqohem se jeni hiçi i hiçit, por lexova se tani ti je ai që po ftohesh para drejtësisë”, shkruan Jasharaj në reagimin e tij.

Ai shton se ky nuk do të jetë rasti i parë që Murati do të ftohet nga prokuroria.

“Ky nuk është rasti i parë që do të ftohesh se të kemi bërë tri kallëzime penale duke i besuar institucioneve të drejtësisë dhe e vërteta do të dal sheshit. Unë para se të nisem në rrugëtimin tim i jam betuar familjes, kolegeve e kolegeve që punuan më misionin e shenjtë të edukimit ët brezave dhe gjakut të dëshmorëve, që me emblemën e UÇK-së, i sollën lirinë këtij trualli dhe zërin shqip të ziles në shkollat e Kosovës se do të vazhdoj të jem i ndershëm, e ti kush je dhe kush do të jesh?”, përfundon ai.

Nga raportimet thuhet se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Në këtë listë është edhe ministri Murati, i cili po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.

Reagimi i plotë i Jasharajt, pa ndërhyrje:

Hekuran u mundove të shkatërrosh sindikatat, përballu tash me drejtësinë

Hekurn Murati pa as edhe një dije intelektuale për të qenë Ministër i Financave, por edhe i punës e mirëqenies sociale e për t’u dëshmuar se edhe sjelljet e një rrugaçi i pranon për të mbetur në ligën e parë të Albinit, kishte nisur fushatë tmerri ndaj sindikatave e në veçanti të sindikatës SBASHK , që ruan krenarinë për misionin e shenjtë të pishtarëve të dijes kundër errësirës që po mundohej ta mbillte në këtë troje pushuesi serb e që ky mision ruhet në faqet e historisë e prezantohet me heroin e shkollës shqipe drejtorin në Strell Haki Pavataj, me bacën Adem Haxhiajdini e me 400 pishtarët të dijes që dhanë jetën për liri.

Hekuran në kohën kur unë Rrahman Jasharaj, njëri nga këta mësuesit e viteve të 90-ta dhe njëri nga veprimtarët sindikalë që i thamë JO Serbisë dhe jetuam me pak bukë që na jepte populli ynë dhe me fjalën e tij të entuziazmit, po udhëheqja një grevë të lejuar me Ligjet e Kushtetutën e Kosovës e pasi qe Qeveria jote injoronte e përbuzte kërkesa tona legjitime dhe kërkesën modeste për t’u takuar me shefin tënd tekanjoz , ti dole në parlament e në media dhe gënjeve se unë paskam keqpërdorur mjetet e akumuluara nga anëtarësia, si buxhet i vetëm yni. Duke mos dashur ta dish të vërtetën e pastër si loti se si akumulohen e si shpërndahen e administrohet me ato mjete bërë apel publik të prokuroria e shtetit që të nis hetimet .

E bëre për të ndikuar në opinion e sidomos për t’ju dhënë edhe ca plumba fyes ndaj meje ushtrisë së Albinit për të më fyer e për të më paraqitur edhe si hajn . Turp e turpi ju mbuloftë se unë erdha në SBASHK për të udhëhequr me këtë sindikatë që mbrojti arsimin shqip në vitet e historisë sonë nga furtunat e pushuesit me betimin e premtimin dhënë punëtorëve të arsimit se do të ruaj figurën e mësuesit dhe pishtarëve të dijes .

Ti e di cilën përgjigje ta dha para ca muajve prokuroria lidhur me gënjeshtrën e shpifjen tënd për mjetet në SBASHK dhe unë nuk dola të krekosem para medieve se me ju nuk ndjej më arsye të flas e të ballafaqohem se jeni hiçi i hiçit, por lexova te “Betimi për drejtësinë” se tani ti je ai që po ftohesh para drejtësisë .

Ky nuk është rasti i parë që do të ftohesh se të kemi bërë tri kallëzime penale duke i besuar institucioneve të drejtësisë dhe e vërteta do të dal sheshit. Unë para se të nisem në rrugëtimin tim i jam betuar familjes, kolegeve e kolegeve që punuan më misionin e shenjtë të edukimit ët brezave dhe gjakut të dëshmorëve , që me emblemën e UÇK-së , i sollën lirinë këtij trualli dhe zërin shqip të ziles në shkollat e Kosovës se do të vazhdoj të jem i ndershëm e ti kush je dhe kush do të jesh ?. /Zëri