Miratohet Ligji për edukim në fëmijërinë e hershme, edukimi parafillor bëhet i obliguar
Foto: Laura Hasani

Miratohet Ligji për edukim në fëmijërinë e hershme, edukimi parafillor bëhet i obliguar

Aktuale July 10, 2023 - 14:53

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Me këtë ligj edukimi parafillor bëhet i obliguar.

“Sot në Kuvendin e Kosovës u miratua Ligji për Edukimin në fëmijërinë e hershme. Po rregullojmë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për më të vegjlit tanë prej lindjes deri në moshën 6-vjeçare. Me ligjin e ri edukimi parafillor bëhet i obliguar”, shkroi Nagavci.

Ministrja ka shtuar se me këtë ligj po vendosim standard të ri, mundësi për të gjithë fëmijët të edukohen e të bëhen qytetarë të zot e kontribuues për veten dhe për shoqërinë.

Postimi i plotë i Nagavcit, pa ndërhyrje:

Reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë në edukimin në fëmijërinë e hershme

Sot në Kuvendin e Kosovës u miratua Ligji për Edukimin në fëmijërinë e hershme. Po rregullojmë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për më të vegjlit tanë prej lindjes deri në moshën 6 vjeçare.

Me ligjin e ri Edukimi Parafillor bëhet i obliguar.

Ligji i ri ndër të tjera do të ofrojë:

- Koordinim ndërsektorial

- Edukim në familje

- Ushqyeshmëri, krijim të menyve ushqimore

- Sigurim e rregullim të materialit didaktik

- Monitorim të punës edukative

- Aftësim të dadove

- Qasje holistike.

Me këtë ligj po vendosim standard të ri, mundësi për të gjithë fëmijët të edukohen e të bëhen qytetarë të zotë e kontribuues për veten dhe për shoqërinë. Edukimi i hershëm i ndihmon vogëlushët në zhvillimin socio-emocional, kognitiv dhe motorik, si dhe ndikon pozitivisht në mirëqenie të tyre. Andaj, krahas Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, jemi në finalizim edhe të kurrikulës për edukim më fëmijërinë e hershme dhe do të vazhdojmë të punojmë shumë që të gjithë fëmijëve t’u ofrojmë një mjedis të sigurt dhe mbështetës.

Falënderoj përzemërsisht të gjithë deputetët për kontributin dhe votën e tyre, anëtarët e grupit punues, partnerët tanë, secilën e secilin që kanë kontribuar në finalizimin e këtij ligji të rëndësishëm e kaq cilësor.