Mbi 400 kërkesa për vlerësim të dëmeve nga vërshimet në Pejë
Foto: Ilustrim

Mbi 400 kërkesa për vlerësim të dëmeve nga vërshimet në Pejë

Aktuale July 07, 2023 - 22:46

Ka përfunduar këtë të premte afati për aplikim mbi vlerësimin e dëmeve në Komunën e Pejës, pas vërshimeve të dy javëve më parë. Janë rreth 400 kërkesa që presin për vlerësim, ndërkohë komuna ka krijuar dy komisione që do të kryejnë këtë punë. Në anën tjetër, intervenimi i komunës pas dëmeve po vazhdon të kritikohet.

Kur kanë kaluar dy javë nga vërshimet katastrofale në Pejë, tashmë është e qartë se vetëm faktori natyrë nuk ka qenë shkaktari kryesor i dëmeve të mëdha në tri lagje, që pasuan edhe me dy jetë të humbura.

Kanalet e pa-pastruara, ndërtimet pa leje e disa ura të ngushta konsiderohen faktorë që nxorën jashtë funksioni qytetin, pas reshjeve enorme të shiut.

“Jemi duke bërë lirimin e kanaleve, pastrimin e tyre, duke demoluar disa ura që kanë qenë pengesë, duke u munduar që në ditët në vazhdim, varet nga analizat që bëjmë, të dimë se ku rrezikohemi nga vërshimet", u shpreh Agron Nikqi, drejtor i Shërbimeve Publike në Pejë.

Në Lagjen “Asllan Qeshme” ende ka punë për t'u kthyer në normalitet. Kanalet ende nuk janë pastruar mjaftueshëm. E për këtë ka kritika shoqëria civile.

 “Duhet të ndërmarrë masa edhe në lagje të tjera, sidomos në hapësira publike dhe të mos lejohet mbyllja apo ndërtimet ilegale mbi këto kanale", tha Naser Lajçi nga “Syri i Vizionit”.

Edhe qytetarët e lagjes më të prekur nga vërshimet, thonë se vazhdojnë të jetojnë në frikën e asaj që ka ndodhë.  Ata kanë pakënaqësi edhe me intervenimet pas vërshimeve nga ana e autoriteteve komunale.

Afati për dorëzimin e kërkesave për vlerësim të dëmeve ka përfunduar sot. Deri dje në komunë janë dorëzuar rreth 400 kërkesa për vlerësim të dëmeve. Organet komunale presin që gjatë javës së ardhshme të kenë një pasqyrë të afërt të shumës së dëmeve të shkaktuara dy javë më parë./rtk