KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, Kosova përgjegjëse për sundim ligji
Foto: Laura Hasani

KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, Kosova përgjegjëse për sundim ligji

Aktuale July 05, 2023 - 09:28

Deputetja në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

Kearns ka deklaruar dje (e martë) në Parlamentin britanik se Serbia po kontrabandonë armë përmes autoambulancave dhe të njëjta po dërgohen në kishat ortodokse.

Ajo ka thënë se për këtë është në dijeni edhe KFOR-i.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”, ka thënë Kearns.

LEXO EDHE: Dalin pamjet e kontrabandimit të armëve me autoambulancë nga Serbia në veri të Kosovës

Lidhur me pretendimet te deputetes Kearns, KFOR-i ka dhënë një qëndrim rreth kësaj çështjeje përmes një përgjigjeje me shkrim për Zeri.info.

KFOR-i në këtë përgjigje, ka theksuar se nuk ka asnjë provë për atë që është raportuar dhe se deputetja i referohet ngjarjes së vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier (regjiment ushtarak britanik) u punësua në Kosovë.

“Ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë për "Zërin".

KFOR-i më tej shton se nuk ka asnjë dëshmi lidhur me kontrabandën e supozuar nga deputetja Kearns.

“Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”, kanë thënë nga KFOR-i..

Tutje KFOR-i ka thënë se për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës.

“Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it. /Zëri