Deputetja britanike: Serbia po çon armë në kishat e Kosovës me autoambulanca

Deputetja britanike: Serbia po çon armë në kishat e Kosovës me autoambulanca

Aktuale July 04, 2023 - 20:40

Deputetja britanike, Alicia Kearns ka ngritur alarmin se armët që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave po shkarkohen në kishat ortodokse.

Ajo tha se regjimenti ushtarak britanik i kthyer nga misioni i KFOR-it kishte qenë në dijeni se kishte armë të kontrabanduara nga Serbia në kishat ortodokse serbe me autoambulanca.

Sipas saj, trupat britanike janë penguar për t’i konfiskuar këto armë.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me autoambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje  ‘të papritura’ një ambulancë thuajse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, tha Alicia Kearns, deputete britanike.

Kearns kritikoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk mori asnjë masë për të gjitha veprimet e Serbisë, e cila, sipas saj, ka shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare me rastin e arrestimit të tre policëve kosovarë.

Ajo këto komente i bëri gjatë adresimit të saj në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku si temë kyçe kishte përkujtimin e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës.