Abazi tregon pse festimet e “Vidovdanit” janë zhvendosur në Graçanicë
Deputeti Haki Abazi ka folur për zhvillimet që mund të ndodhin nesër në festimet e serbëve për festën e ‘Vidovdanit’.
Sipas Abazit, arsyeja pse festimet janë zhvendosur nga Gazimestani në Graçanicë lidhen me tentimet e serbëve që të duken se janë të rrezikuar edhe në jug.
“Zhvendosja e mbajtjes së ceremonisë festive nga Gazimestani në Graçanicë i ka disa elemente përbrenda që mund të jenë realisht kalkulime të serbëve për të vendosur një pikë graviteti tjetër prej asaj që është bërë deri më tani në veri, duke tentuar që krizën ta bartin edhe në pjesën tjetër të Kosovës, prej veriut deri në pjesën tjetër të Graçanica. Për të mos thënë që veriu është pjesa problematike por edhe serbët në jug janë po ashtu të rrezikuar nga Kosova. Dhe kjo po mundohet ta krijojë një narrativë të re e cila shfrytëzohet nga vet serbët për ta kriju një moment avantazhi”, ka thënë Abazi në Teve1.
Sipas tij, BE-ja pritet ta paraqesë shpejt një statut për Asociacionin dhe zhvillimet e nesërme mund ta imponojnë një Asociacion jokushtetues.
“Ajo që pritet është të paraqitet një statut i Asociacionit së shpejti nga Bashkimi Evropian dhe lëvizjet që mund të ndodhin nesër e sjellin bashkësinë ndërkombëtare para një akti të kryer duke mos i lënë hapësirë që ai statut të jetë përbrenda përkufizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Abazi.