Borrelli i fton në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiqin: Situata duhet të shtensionohet menjëherë

Borrelli i fton në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiqin: Situata duhet të shtensionohet menjëherë

Aktuale June 22, 2023 - 07:50

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.

Borrell në një postim në Twitter shkruan se është e nevojshme që situata të shtensionohet menjëherë dhe të ketë zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve.

“I kam thirrur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, shkruan Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë ka njoftuar se pas takimit në Vatikan me Papa Françesku, do të udhëtojë për në Bruksel në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka konfirmuar se do të udhëtojë në Bruksel për tu takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Sipas itinerarit tim të përcaktuar për të shkuar në Bruksel nga Roma, konfirmoj pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Josep Borrell”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në këtë takim do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të tre policëve të mbajtur peng nga Serbia, de-eskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se takimi mund të zhvillohet më 22 ose 23 qershor, ndërkaq kanë përmendur edhe mundësinë që Kurti dhe Vuçiqi të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.