
Kurti për takimin në Bruksel: Vendos pasi ta kuptoj gjendjen e tre policëve të arrestuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do ta presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, te tre policët Kosovës, të cilët janë kidnapuar nga forcat serbe, e tash po mbahen në Kralevë, si të paraburgosur.
Ai tha se pas të dhënave nga kjo vizitë, do të vendosë se a do të shkojë në Bruksel në dialog ose jo.
“Kam kërkuar takim për javën që shkoj, më patën thënë se duhet të deeskalohet gjendja, pastaj u kidnapuan tre policët tanë. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas u njoftova për një takimit të radhës, që s’jam i sigurt që është menduar për datën 22 ose 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari, në burg në Kralevë, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve që po mbahen peng, po mbahen robër në serbi si hakmarrje, do ta marr vendimin”, ka thënë ai, përcjell Dukagjini.
Ai bëri të ditur se Jashari do t’i vizitojë nesër tre policët e Kosovës, të cilët sipas tij po mbahen peng.
“Vizita është menduar për ditën e nesërme, unë do të jem në kontakt me ambasadorin tonë, për të kuptuar gjendjen e policëve po mbahen peng”, ka thënë ai.
Kurti bëri të ditur se për shtensionimin e situatës në veri, ka propozuar që gradualisht të zvogëlohet prania e njësisë speciale rreth objekteve komunale.
“Për shkak se ka ekstremistë të dhunshëm, duhet të ketë polici të Kosovës në këto ndërtesa. Kam kërkuar që gradualisht ta zvogëloj numrin e policëve, por me sundimin e ligjit që bën që policët të përballen me drejtësinë, këtë e kemi propozuar. Për Policinë çdo komunë është e njëjtë, veprimet bëhen duke u bazuar në kushtetutshmërisë”, tha ai.
Ndryshe, pothuajse të gjithë aleatët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Serbia, lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të cilët i ka rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.