Kurti: Rasti i djeshëm agresion, e kemi rritur nivelin e gatishmërisë
Foto: Laura Hasani

Kurti: Rasti i djeshëm agresion, e kemi rritur nivelin e gatishmërisë

Aktuale June 15, 2023 - 09:08

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë u diskutua situata e sigurisë, me theks në katër komunat në veri dhe gjatë brezit kufitar me Serbinë.

Kurti tha se institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat e fundit the dhanë rekomandime, teksa rrëmbimin e tre policëve ai e quajti agresion ndaj shtetit të Kosovës.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit, hakmarrje ndaj policisë që po e lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohën kur ne kemi propozuar planin për depërshkallëzim. Për këto arsye, institucionet tona të rendit e të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i Qeverisë tha se për arsye të sigurisë janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe kontrollin e automjeteve që vijnë nga Serbia.

“Cenimi i kufirit dje nga Serbia na detyron ta rrisim kontrollin kufitar, ku varësisht nga analizat e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo s’mund të garantohet siguria”, tha Kurti.