Komuniteti LGBT përballet me mungesë të njohjes ligjore

Komuniteti LGBT përballet me mungesë të njohjes ligjore

Aktuale June 10, 2023 - 12:14

Komuniteti LGBT vazhdon të përballet me sfida të shumta në promovimin e të drejtave të tyre dhe sigurimin e një vendi në shoqëri.

Pjesëtarë të këtij komuniteti dhe drejtues të organizatave për mbrojtjen e tyre kanë bërë të ditur se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti LGBTIQA+ është bullizimi që përjetojnë, mungesa e mbrojtjes dhe njohjes ligjore.

Në Kosovë ndonëse u garantohen te drejtat me ligj Komuniteti LGBTIQA+ (Gay, Lezbike, Biseksual, Transgjinor, Queer, Interseks dhe Aseksual) diskriminohet në tregun e punës, në shkollë në familje  dhe në komunitet. Këtë e thonë vetë pjesëtarët e këtij komuniteti të cilët tregojnë për sfidat më të cilat përballën duke filluar nga familja.

Në Kosovë, si në shumicën e vendeve të tjera, shumë persona të komunitetit LGBTIQA+ nuk e bëjnë të ditur orientimin e tyre seksual apo identitetin e tyre gjinor për shkaqe sigurie, frikë nga diskriminimi apo stigmatizimi.

Njëra ndër pjesëtarët e këtij komuniteti, që preferon të identifikohet si Adelina Rose, 31 vjeçe, i tha Radio Kosovës se është bullizuar vazhdimisht nga bashkëmoshataret e saj, që nga mosha 16 vjeçare.

 “ Verbalisht me fjalë gjatë krejt fëmijërisë e edhe një herë kur kam qenë duke u rritur në Pejë kam përjetuar shumë. Tash i kam 31 vjet edhe tash kanë ndryshuar pak rrethanat dhe nuk përjetoj si atëherë. Normalisht dëgjoj ndonjëherë ndonjë fjalë aty-këtu por jam mësuar aq shumë t’i anashkaloj dhe nuk i dëgjoj më se nuk e lejoj askënd të ma ndalojë mënyrën e jetesës sime qysh unë e kam përzgjedh vetë”, ka thënë ajo

Po ashtu, ajo tregon edhe për vështirësitë që ka pasur gjatë kohës deri sa familja e saj e ka pranuar realitetin, kjo edhe si pasojë e mentaliteti që e rrethonte familjen.

 “U kanë e vështirë në fillim për ta kuptoj por në momentin që e kam pa që lumturia ime nuk ka të bëjë me ndihmën e njerëzve të tjerë përderisa unë jam i lumtur ashtu qysh jam. Përkrahja do me thanë o kanë një proces prej do viteve derisa kemi mbërri të vijmë deri të mirëkuptimi i plotë. Po tash do me thanë krejt familja e dinë dhe as nuk përmendet, është pjesë normale për familjen time”, ka thënë Rose.

 Si pjesëtarët të këtij komuniteti përballën me shumë sfida dhe se viteve të fundit gjendja e tyre vetëm sa është përkeqësuar. e thotë për Radio Kosovën edhe Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Sociale.

 “ Mendoj, Prishtina mund të dallohet por në përgjithësi nuk është që ka ndryshuar, bile kam përshtypjen që së paku viti i fundit është edhe më keq se sa ka qenë para dy – tri viteve. Kështu që edhe në qoftë se ka ndryshuar kisha me thanë se ka ndryshua për të keq”, ka thënë Nuhiu.

Po ashtu, Nuhiu tha se pjesëtarët e këtij komuniteti nuk marrin shërbimet e nevojshme të cilat duhet të sigurohen nga institucionet përgjegjëse.

 “ Faktikisht për sa i përket shërbimeve pothuajse shumë pak ose fare edhe ato të cilat janë nuk janë adekuate, të përshtatshme për t’i plotësuar nevojat e komunitetit. Duke pasur parasysh mungesën e mbështetjeve na si organizatë jo qeveritare jemi duke u munduar që t’u ofrojmë shërbime të cilat në fakt ish dashtë t’ua ofrojnë autoritetet publike të Kosovës”, ka shtuar ai.

Edhe,  Liridon Veliu, nga Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTIQA+ në Kosovë, i tha Radio Kosovës se ky komunitet përballët me shumë sfida si bullizimi, sulmet fizike madje edhe nga vetë familjet e tyre, e  shumë sfida të tjera. 

 “ Personat me LGBTI përballen me shumë sfida në Kosovë për shkak që më së pari për shkak të kulturës, mendësisë së shoqërisë kosovare ndaj personave me LGBTI. Personat me LGBT përballen me sfida si bullizëm, gjithmonë janë të diskriminuar  në secilin hap, sferë të jetës. Po ashtu ka persona që pasi që e merr familja vesh që janë persona me LGBTI, ose i sulmon fizikisht ose edhe i largon prej shtëpisë. Ka shumë raste që në fakt familja i largon prej shtëpisë kur e kupton që janë persona LGBTI kur e kuptojnë orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor. Po ashtu edhe pse jemi duke bërë goxha punë, jemi duke i ngritë të drejtat e personave  LGBTI, institucionet janë prapë goxha rezistuese ndaj këtyre të drejtave”, theksoi Veliu.

Pjesëtarë të këtij komuniteti dhe drejtues të organizatave për mbrojtjen e tyre kanë bërë të ditur se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti LGBTIQA+ është bullizimi që përjetojnë, mungesa e mbrojtjes dhe njohjes ligjore.

 

Veliu, tha së Kodi Civil edhe përkundër që është dërguar në Kuvend, edhe në rast të miratimit të tij nga ana e deputetëve nuk hap rrugë për rregullimin e martesave të gjinisë së njëjtë.

 “Vitin e kaluar është dërguar Kodi Civil në Parlament. Ka pasur shumë gjuhë të urrejtjes nga ana e parlamentarëve dhe kjo ka shpërshfaq pak a shumë si është gjendja e personave me LGBTI apo qysh mendon një pjesë e shoqërisë. Po ashtu çka ne jemi duke u munduar të bëjmë ne të dy organizatat është t’i avancojmë ligjet”, shtoi ai. 

Në lidhje më çështjen e Kodit Civil, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ky kod sërish do të dërgohet në Kuvend dhe se deputetët duhet ta mbështesin pasi garanton liritë dhe të drejtat e njeriut.

 “ Për të konkretizuar atë pra që e thashë, ju njoftoj se Ministria e Drejtësisë tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për bashkësitë civile të regjistruara. Kjo po bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës, gjithashtu Kodi Civil sërish do të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse unë thashë edhe më herët nuk ka kthim prapa dhe se të drejtat e komunitetit LGBTIQ+,  janë të drejtat e njeriut. Dhe deputetët e Kuvendit të  Republikës së Kosovës duhet ta mbështesin, duhet të punojnë të shërbejnë që të emancipojnë shoqërinë tonë”, ka thënë Haxhiu.

Sfidat për komunitetin LGBTIQA+ në Kosovë përfshijnë diskriminimin social dhe mungesën e pranimit në shoqëri, shfaqjen e homofobisë dhe transfobisë, mungesën e mbështetjes familjare, vështirësitë në zbatimin e të drejtave ligjore, dhe mungesën e informacionit dhe ndërgjegjësimit mbi të drejtat e  këtij komuniteti. Në Kosovë, organizatat për mbrojtjen e komunitetit luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e të drejtave dhe në adresimin e sfidave me të cilat përballet ky komunitet.

Në lidhje me statistikat e saktësuar për numrin e personave të regjistruar në Kosovë si pjesëtarë të komunitetit LGBTIQA+, informacioni aktual mungon. Është e vështirë të përcaktohet saktësisht numri i përbashkët i individëve që e identifikojnë veten si anëtarë të komunitetit pasi në shumë raste këto informacione që nuk raportohen publikisht ose regjistrohen zyrtarisht.