LVV-ja me video: Republika e Kosovës s’i nënshtrohet milicisë fashiste të Vuçiqit
Foto: Laura Hasani

LVV-ja me video: Republika e Kosovës s’i nënshtrohet milicisë fashiste të Vuçiqit

Aktuale June 08, 2023 - 13:00

Në një video prej gati dy minutash, e shpërndarë në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka përmbledhur disa pamje të protestave të mëhershme e deri te ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në veri të Kosovës.

Nëpërmjet kësaj videoje, LVV po bën thirrje që t’i rezistohet siç thonë ata, milicisë fashiste të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, që sipas tyre është e njëjta me atë të presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq.

Në videon e shpërndarë përmendet Serbia për cenim të vazhdueshëm të integritetit territorial të Kosovës.

“Republika e Kosovës është përpjekja shekullore e popullit të saj. Ajo është kërkesa për liri, demokraci e barazi me popujt e tjerë. Republika e Kosovës është rezultat i mijëra martirëve e të burgosurve politik. Ajo është rezultat edhe i aleatëve tanë. Republika e Kosovës është aspiratë e popullit për të shkuar e qëndruar kah vlerat e perëndimit. Ka vetëm një vend që nuk do të pajtohet me këtë fakt: Serbia”, thuhet në video.

“Shteti që ka shkaktuar në tri dekada katër lufta. Ky shtet autokratik vazhdon të cenojë integritetin e vendit. Përmes milicisë fashiste Serbia vazhdon të cenojë rendin kushtetues. Këto të gjitha po bëhen me orkestrim të organizuar nga Beogradi. Por, Kosova nuk do të lejojë që milicia fashiste të përcaktojë rendin kushtetues”, thuhet ndër të tjera.