Kurti në takim lamtumirës me Wigermarkun: Kurrë më i fortë sundimi i ligjit në Kosovë

Kurti në takim lamtumirës me Wigermarkun: Kurrë më i fortë sundimi i ligjit në Kosovë

Aktuale June 08, 2023 - 11:33

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse për shefin e EULEX-it, Wigermark.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, ku vlerësoi lart kontributin e tij të dhënë ndër vite.

Kurti gjatë këtij takimi ka thënë se mënyra më e mirë që një qeveri mund t’ia shprehë falënderimet një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë se më nuk është e nevojshme të qëndrojnë, raporton Zeri.info.

Po ashtu ai shprehu mirënjohje për Wigermarkun, duke thënë se qëllimi i organizatës që udhëhoqi nuk është të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë, por ta përgatitë atë të qëndrojë në këmbët e veta.

Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vjetët e fundit.

Megjithatë, kryeministri Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht. Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi. /Zëri