Lama thotë se Kurti e keqpërdori besimin e amerikanëve për zgjedhjet në veri

Lama thotë se Kurti e keqpërdori besimin e amerikanëve për zgjedhjet në veri

Aktuale June 08, 2023 - 08:41

Analistja Alma Lama ka folur në lidhje me situatën në të cilën ndodhet kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas situatës së tensionuar në veri dhe sulmeve që po i bëhen nga ndërkombëtarët.

Ajo tha se Kurti ndodhet në një moment jashtëzakonisht të vështirë për shkak të konfrontimit me SHBA-në dhe BE-në. Sipas saj, pika e thyerjes së marrëdhënieve ka qenë keqpërdorimi i besimit në raport me zgjedhjet në veri. “Pak i ekzagjeruar, por sigurisht që Kurti është në një situatë shumë të vështirë, për shkak të konfrontimit me SHBA-në”, tha ajo.

“Duket se pika e madhe e thyerjes është një lloj keqpërdorimi i besimit në raport me zgjedhjet ne veri, ku pasi mori miratimin e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve, ai më pas veproi pa u konsultuar me SHBA-në, duke u shkaktuar probleme këtyre të fundit”, tha ajo.

“Do të mbetet të shihet se çfarë mesazhi është ky. NATO-ja do ta garantojë sigurinë e Kosovës, por në lidhje me Kurtin, non grata apo dorëheqje, kjo lidhet tërësisht me sanksionet të mundshme të SHBA në raport me Kosovën”, tha ajo.

Në lidhje me mundësinë e një rrugëdaljeje të Kurtit nga kjo situatë, Lama tha se Kurti e ka pasur një zgjedhje, të vendoste të ndiqte këshillat e SHBA-së dhe nëse dhuna do të ndodhte atëherë sulmi i ndërkombëtarëve do të ishte mbi Serbinë. Ajo tha se kjo nuk është një lëvizje politike e bërë për herë të parë, pasi edhe qeveritë më parë kanë pasur tentativa për të shtrirë autoritetin në të gjithë territorin e Kosovës.

“Sigurisht që ka pasur zgjidhje tjetër. Ne po shohim rezultatet e kësaj lëvizjeje të Kurtit. Pikë zero në raport me zgjedhjet në veri dhe irritim nga vendet që mbështesin Kosovën”, tha ajo.

“Nëse Kurti do të vepronte në përputhje me këshillat e SHBA-së dhe nëse do të kishte pastaj reagime të dhunshme, atëherë Kosova do të shfajësohej dhe do të fajësohej Beogradi. Kurti i ka marrë kryetarët e komunave pa i ditur fare. Ka shkuar me polici speciale në banesat e tyre i ka marrë dhe i ka thënë që do shkojnë në një takim dhe i ka dërguar me forcë në komuna”, tha ajo.

Tentativë për të shtrirë autoritetin e qeverisë në veri ka pasur edhe në qeveritë e kaluara, shkruan Abc.News.al.

“Alternativa e vetme është dialogu dhe presioni ndaj Serbisë. Amerikanët janë të zhgënjyer se palët ishin në mes të një dialogu ku pretendohej që Serbia më në fund të pajtohej për të hequr dorë nga veriu i Kosovës, Kurti ndërmerr veprime të njëanshme dhe përkeqëson raportet me SHBA-në”, përfundoi ajo.