Kurti: Vetëm sundimi i ligjit mund t’u hap rrugë zgjedhjeve të reja

Kurti: Vetëm sundimi i ligjit mund t’u hap rrugë zgjedhjeve të reja

Aktuale June 06, 2023 - 08:22

Gjatë takimit me të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që Brukseli dhe Uashingtoni të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeminisrit të Kosovës, thuhet se kryeministri Kurti shprehu “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”.

Kurti, sipas njoftimit, në takimin e 5 qershorit tha se vetëm sundimi i ligjit mund t’u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit Kurti.