Kurti: Ne s’do duhej të lëshojmë pe, vetëm që Serbia të mos shkaktojë probleme
Foto: Laura Hasani

Kurti: Ne s’do duhej të lëshojmë pe, vetëm që Serbia të mos shkaktojë probleme

Aktuale June 04, 2023 - 21:26

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nuk duhet të lejojnë nënshtrimin për faktin se Serbia s’është vend demokratik dhe dëshiron probleme me fqinjësi.

Në këtë situatë, Kurti është shprehur se duhet rezistuar tendencës së tyre.

”Tash, fakti që ata [Serbia] duan të shkaktojnë probleme, nuk do të duhej që ne të lëshojmë pe, vetëm që ata të mos shkaktojnë probleme. Nëse ata duan të shkaktojnë probleme ne duhet t’i rezistojmë tendencës së tyre, mirëpo jo me kushtin e nënshtrimit tonë”.

Tutje Kurti ka thënë se janë duke hetuar nëse grupet mercenare ruse, kishin ndikim edhe në trazirat e fundit në veri.

”Në këtë aspekt pa dyshim që edhe Ujqit e natës edhe Wagnerët kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe ne kemi të dhëna se kanë qenë gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës e tash po i mbledhim edhe të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit, kundër policisë sonë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve”.

”Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të cilët, jo vetëm se janë kriminelë të cilët kanë bërë krime, por hapur e thonë që do të bënin sërish krime”.

Për “The Geopost”, kryeministri Kurti, ka përmendur sërish thirrjet kërcënuese, në parullat e 26 majit nga protestat në veri.

”Konkretisht, një ndër parullat që brohoritej me 26 maj ishte “Vrite, vrite”. Nuk janë këto protesta paqësore, të djegësh vetura të policisë, të bërtasësh “ Vrite, vrite” me banda të orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe prej atje i marrin edhe direktivat, këto veçse protesta paqësore nuk janë”.

”Prandaj, këta persona, këta ekstremistë që 5 prej tyre janë në burg, ndërkaq edhe 13 prej tyre i kemi identifikuar me siguri që janë njerëz të tillë te të cilët Kremlini sheh shansin e vet”.

”Meqenëse bëhet fjalë për ideologji të së djathtës ekstreme nacional- shoviniste serbomadhe e cila e adhuron edhe Millosheviqin edhe Putinin”.

Kurti tha se ky adhurim i Millosheviqit dhe Putinit si ideologji, si figura të ideologjisë së tyre, rezulton shumë joshëse për gruet paramilitare terroriste gjenocidale sikurse puna e Wagnerit.