Për 15 vjet shtet, së paku tri raste mospajtimesh Kosovë - SHBA
Foto: Laura Hasani

Për 15 vjet shtet, së paku tri raste mospajtimesh Kosovë - SHBA

Aktuale May 31, 2023 - 08:21

Kjo nuk është hera e parë që Kosova përjeton përplasje me SHBA-në.

Edhe në vitin 2019, në kohën e qeverisë “Haradinaj”, SHBA-ja kishte marrë vendim për pezullimin e disa trajnimeve për pjesëtarët e FSK-së dhe projekteve të tjera zhvillimore.

Arsyeja e këtij vendimi ishte taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe, të cilën ish-kryeministri Haradinaj refuzonte ta hiqte, përkundër kërkesës direkte të zyrtarëve amerikanë. Si pasojë ishte anuluar vizita e komandantit të gardës së Iowas, gjeneralmajor Timothy Orr në Prishtinë, i cili kishte planifikuar ta vizitonte Kosovën me rastin e 11-vjetorit të shtetësisë.

Ish-zëdhënësi i Ambasadës Amerikane Richard Mei kishte konfirmuar se anulimi i vizitës kishte të bënte me taksat që pati vendosur Qeveria e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat e vendosura për produktet nga Serbia dhe Bosnja. Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, pati thënë Mei për mediat kosovare me 11 shkurt të vitit 2019.

Marrëdhëniet më tej ishin rikuperuar pas tërheqjes së taksës.

Edhe në vitin 2017, ish Ambasadori amerikan, Greg Delawie pati reaguar ashpër me mesazhe kërcënimi ndaj ish udhëheqësve të asaj kohe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të cilët po synonin zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ai u pati bërë thirrje përfaqësuesve politikë të Kosovës që të heqin dorë nga shfuqizimi i ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale, në të kundërtën pati thënë se politikanët do të përballen me pasoja të rënda.

“Deputetët që mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prinë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’i nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra”, pati thënë Delawie më 17 janar të vitit 2018.

Ndërkaq, sot ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se Qeveria e Kosovës nuk është e koordinuar me SHBA-në për veprimet e marra në veri dhe për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë, stërvitjet “Defender 2023” kanë marrë fund për të.