![Protestuesit në Zveçan nuk lejojnë kalimin e automjeteve të Policisë së Kosovës](/uploads/zeri.info/images/2023/May/29/auto_zvecan71685357404.jpg)
Protestuesit në Zveçan nuk lejojnë kalimin e automjeteve të Policisë së Kosovës
Të tubuarit në Zveçan nuk i përfillën thirrjet e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, për të lejuar kalimin e dy automjeteve të Policisë së Kosovës.
Në vend të ngjarjes duket një numër i madh njerëzish - mes tyre edhe me maska.
Aty gjenden edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, edhe të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Më herët, Rakiqi tha se ua ka përcjellë dy kërkesa përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.
“Kërkesat tona janë që sherifët - siç e quajnë veten - të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t'i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit", tha Rakiqi, duke folur nga Zveçani.