Policia për situatën në veri: Po i asistojmë kryetarët ta ushtrojnë detyrën e tyre në objektet e komunave

Policia për situatën në veri: Po i asistojmë kryetarët ta ushtrojnë detyrën e tyre në objektet e komunave

Aktuale May 26, 2023 - 13:08

Policia e Kosovës është deklaruar për situatën në komunat veriore të vendit, ku sot gjatë ditës janë mbledhur disa serbë para objekteve të komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ata kanë penguar hyrjen e kryetarëve të sapozgjedhur në objektet e komunave, transmeton Zeri.info.

Policia në një njoftim për media ka thënë se po asistojnë kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri