Dyshime për keqpërdorime me grante në Komunën e Skenderajt
70 qytetarë përfituan grante nga organizata “Islamic Relief” dhe Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2021-2022.
Mirëpo, disa nga përfituesit e mëshqerrave dhe frezave nuk iu përmbajtën kushteve të parapara në kontratë.
Ani pse marrëveshja parashihte që përfituesit e mëshqerrave duhet t’i mbajnë ato të paktën për 3 vjet, burimet e Kiksit kanë bërë të ditur se disa nga blegtorët i kanë shituar ato.
Njohësi i fushës së Bujqësisë, Hamit Shala, tha për Kiksin se procesi i shpërndarjes së granteve shoqërohet me parregullësi të shumta nga i cili nuk përfitojnë fermerët seriozë.
Parregullsi e keqpërdorime të tilla pretendon se ka pasur në shpërndarjen e granteve edhe në Komunën e Skenderajt, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Sipas tij, me këto grante, të cilat thotë se shkuan deri në Londër, është bërë pazar për shlyrje të borxheve për premtimet e parealizueshme.
Këto keqpërdorime, Mehani thotë se u realizuan përmes disa kritereve të brendshme të vendosura nga komisioni, krahas atyre të shpallura në thirrjen publike, të cilat i vërejti auditori i jashtëm.
Prandaj, Mehani thotë se ka propozuar krijimin e një komisioni hetimor për shpërndarjen e granteve, por kjo iniciativë e tij nuk u përfill.
Ndërkaq, nga organizata islame që ndan këto grante, kanë thënë për KIKS-in se prioritet i tyre janë familjet me kushte të vështira ekonomike, të cilat verifikohen para zgjedhjes së përfituesve nga një ekip vlerësues i kësaj organizate.
Gashi thotë se fermerët përfitues të cilët shkelin kriteret e kontratës futen në listën e zezë, çka nënkupton se ata nuk mund të përfitojnë më grante të tjera.
Se përfituesit që keqpërdorën këto grante do të futen në lista të zeza paralajmërojnë edhe nga Komuna e Skenderajt, nga e cila thonë se nuk e kanë përfunduar ende procesin e inspektimit për ndarjen e këtyre granteve.