Imri Ahmeti: Presidente në Lipjan çdo javë hapet nga një fabrikë, s’di a keni kohë të vini për të prerë shirita
Foto: Laura Hasani

Imri Ahmeti: Presidente në Lipjan çdo javë hapet nga një fabrikë, s’di a keni kohë të vini për të prerë shirita

Aktuale May 19, 2023 - 14:14

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti ka thënë sot se Lipjani është bërë një qendër ku po investojnë biznese të ndryshme falë pozitës gjeografike, por sipas tij edhe falë veprimeve administrative.

Ahmeti, duke vlerësuar zhvillimin e qytetit që ai udhëheq, iu drejtua presidentes Vjosa Osmani, e cila ishte e pranishme në hapjen e fabrikës “Freesia”, duke e pyetur se a ka kohë të shkojë në Lipjan çdo javë për t’i prerë shiritat e fabrikave që hapen, shkruan Zeri.info.

“Normalisht që për Lipjanin është ditë shumë e veçantë sa herë që hapim fabrika të tilla. Lipjani për shkak të pozitës gjeografike, por edhe për shkak të veprimeve të ndryshme administrative, ka ndërtuar një ambient të mirë të të bërit biznes, andaj ne shfrytëzojmë rastin të thërrasim edhe investitorë të tjerë. Presidentes i them që në Lipjan çdo javë hapet një fabrikë, nuk e di a do të ketë kohë me ardhë sa herë që presim shirita”, tha Ahmeti gjatë ceremonisë së hapjes së fabrikës “Freesia” në Lipjan, e cila është hapur nga fondacioni “Golden Eagle”.

Ahmeti tutje u shpreh i lumtur që ky investim ka ndodhur në Lipjan nga familja Palushi dhe u uroi shumë suksese të gjithë të punësuarve, duke theksuar veçantinë e kësaj ndërmarrjeje, e cila do të ketë të punësuar persona me aftësi të kufizuara. /Zëri

Image