
Osmani dhe Kurti zotohen se Kosova do t’i zbatojë marrëveshjet
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë deklaruar lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe takimin e së hënës mes dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Perkoviq.
E para e shtetit tha se të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve duhet të zbatohen. Ajo u shpreh se Kosova do të zbatojë të gjitha pikat për të cilat është pajtuar, por jo edhe ato të cilat nuk përfshihen në marrëveshjen bazë. Sipas presidentes, interpretimet e reja të BE-së kërkojnë nga Kosova të dalë nga ajo që është shkruar në letër, raporton RTKlive.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti deklaroi se ende nuk ka marrë asnjë raport në lidhje me shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë.
Ai tha se Kosova është e interesuar për zbatim të plotë të marrëveshjes bazë pa vonesë.
“Pala tjetër nga pesë pikat e preambulës dhe 10 nenet e marrëveshje dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm te Neni 7. Neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por ai nuk është marrëveshja”, shtoi ai.