Haxhiu konsideron se janë bërë reforma në sistemin e drejtësisë gjatë dy vjetëve

Haxhiu konsideron se janë bërë reforma në sistemin e drejtësisë gjatë dy vjetëve

Aktuale March 31, 2023 - 17:54

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu kanë prezantuar punën dy-vjeçare të ministrisë së tyre dhe veprimet që kanë ndërmarrë për reforma në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ndër tjerash theksoi rëndësinë për zhvillimin e vetingut që sipas saj do të siguroj që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, efikas dhe transparentë dhe gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës të kenë integritet moral por edhe profesional, raporton Zeri.info.

Po ashtu ajo tha se është bërë kursimi i buxhetit publik, ku përmendi fitoren e Republikës së Kosovës në dy raste në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit në vlerë rreth 100 milionë euro.

“Si prioritet tjetër që është punuar, ministrja Haxhiu vlerësoi edhe adresimin e krimeve të luftës ku janë ndërmarr hapa duke rritur kapacitetet me 4 prokuror në Prokurorinë Speciale dhe 6 bashkëpunëtor profesional për trajtimin e krimeve të luftës, themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2023 dhe hartimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale”, thuhet ndër të tjera.

Më tej ajo u shpreh se janë miratuar katër akte të rëndësishme në parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore si : Strategjia Nacional kundër Dhunës në Familje (2022- 2025) , Protokolli Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale, ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që parashihen dënimet plotësuese për dhunuesit, Kurrikulën për trajtimin e dhunuesve dhe ndihmë juridike falas për gjithë kategoritë e viktimave të dhunës.

Gjatë periudhës dy vjeçare të punës, ministrja Haxhiu vlerësoi edhe transparencën me qytetarë dhe media.

“Janë pritur mbi 1600 qytetarë sepse i kemi dyert e hapura për qytetarët, sepse ne u shërbejmë atyre”, tha ministrja Haxhiu.

Gjatë këtyre dy viteve në hartimin e politikave kundër korrupsionit dhe krijimin e mekanizmave për konfiskimin civil, zëvendësministri Sallahu theksoi se është kompletuar Projektligji për Byronë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë që do të themelohet brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, paketa antikorrupsion që parasheh krijimin e task forcës hetimore Anti-korrupsion por edhe luftimin e korrupsionit përmes sinjalizimit si dhe është themeluar Gjykata Komericale.

Gjatë periudhës dy vjeçare, janë miratuar mbi 70 projektligje dhe akte nënligjore nga Ministria e Drejtësisë dhe janë nxjerr 244 vendime nga Ministrja Haxhiu. /Zëri