Vendosja e pengesave me drunj e gozhda afër pikës kufitare në Bërnjak, deklarohet Prokuroria
Foto: Laura Hasani / Arkiv

Vendosja e pengesave me drunj e gozhda afër pikës kufitare në Bërnjak, deklarohet Prokuroria

Aktuale March 27, 2023 - 15:05

Disa pengesa me drunj dhe një mjet artizanal i përbërë me gozhda, që shërben për dëmtim të gomave të automjeteve, ishin vendosur të shtunën në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak.

Policia njoftoi se kishte larguar pengesat dhe se rasti po hetohej.

Lidhur me këtë është deklaruar Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, tha se është hapur rast në drejtim veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”.

“Sa i përket rastit të pengesave, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka udhëzuar policinë që të hapet rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”. Rasti vazhdon të hetohet në koordinim me policinë”, tha Preteni për Telegrafin.

Kujtojmë se muaj më parë kjo pikë kufitare kishte qenë e mbyllur për shkak të vendosjes së barrikadave nga ana e serbëve lokalë.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.