Hill: Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën, jo me çështjen e pakicës shqiptare në Serbi

Hill: Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën, jo me çështjen e pakicës shqiptare në Serbi

Aktuale March 27, 2023 - 15:03

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë në Bujanoc se Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën e jo me çështjet e pakicave në Serbi.

“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është të zgjidhet ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu ose në pjesët tjera të vendit”, tha Hilli.

Ambasadori theksoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë dhe përsëriti se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.

Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështetë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, “pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë”, theksoi ambasadori, transmeton Demokracia.com.

I pyetur nga gazetarët për letrën e kongresistëve amerikanë të cilët pas takimit me politikanë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, i kërkuan sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken që të formojnë një komunitet të komunave shqiptare, ambasadori tha se respekton atë që thonë kongresistët, por një komunitet i tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.