Dëshmitari pretendon se babai i tij u keqtrajtua nga Pjetër Shala

Dëshmitari pretendon se babai i tij u keqtrajtua nga Pjetër Shala

Aktuale March 27, 2023 - 14:39

Rrëfimi i dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit Pjetër Shala edhe më tej vazhdon, por pjesa më e madhe e saj po mbahet e mbyllur për publikun.

Dëshmitari tha se pas 13 ditësh që babanë e tij e kanë mbajtur të ndaluar në Cahan të Kukësit, ai është kthyer, por pasojat në trupin e tij i kanë parë familjarët.

Dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë deklaroi se pasi babai është kthyer, ai u ka treguar të nesërmen familjarëve për ato që i kanë ndodhur gjatë 13 ditëve të mbajtjes në ndalim.

“Ai ka treguar pak nga pak, të nesërmen për tmerrin që ka përjetuar”, tha dëshmitari i mbrojtur.

Sipas tij, kur është marrë, babai i tij, dy ditë është mbajtur në qendrën në Marmull, e pastaj në Kukës, përkatësisht në Cahan në fabrikën e metaleve.

“Aty i është bërë dhunë ndaj tij dhe të gjithëve që i kanë mbajtur aty”.

Dëshmitari më tej shpjegoi se pas rrëmbimit, babanë e kanë dërguar në një vend të quajtur Marmull, e pastaj e kanë dërguar në Kukës.

Ai tha se edhe në Marmull ka pasur persona e ashtu edhe në Kukës ka pasur njerëz të tjerë.

“Kur ka shkuar në Kukës, babai ka qenë vetë i katërti, sepse kështu ka treguar babai”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorisë nëse i kujtohen emrat e ndonjë të arrestuari tjetër, seanca u mbyll për publikun.

Dëshmitari tha se babai i tij është goditur në kokë me revole, është djegur me cigare, me elektroshok, shkop bejsbolli, e mjete të forta.

“Kjo ka ndodhur derisa një ditë kur ka ardhur në shtëpi, që e kanë sjellë njerëzit që i përmenda më herët (seancë të mbyllur...), kjo ka vazhduar për tërë kohën sa është mbajtur në burg”.

Dëshmitari tha se gjatë kohës sa e kanë mbajtur në Kukës, babanë e tij e kanë marrë në pyetje nga dy tre fjalë dhe e kanë rrahur.

“Ata i kanë thënë nënshkruaje e pranoje që i ke vrarë 100 persona”, tha ai.

“Por ai ka thënë që gjejeni vetëm një, unë i pranoj të gjitha. Ata kanë dashur ta shtynë të nënshkruajë me dhunë një diçka që nuk e ka bërë”, tha dëshmitari.

Ai përmendi emrat e personave që kanë shkuar ta marrin babanë e tij në majin e vitit 1998, e ku mes tre pjesëtarëve të UÇK-së, ishte edhe Pjetër Shala.

Në këtë seancë, reagoi avokati i Pjetër Shalës, duke kërkuar sqarime se kush janë burimet të informacionit të këtij dëshmitari, në mënyrë që të kuptohet më qartë.

Në përgjigje, prokurori tha se ato janë përjetimet e personit dhe ato çfarë i ka treguar babai i tij.

Dëshmitari tha se e gjitha familje ishte në gjendje shumë të rëndë pas këtij rasti.

Më pas, seanca ka shkuar në pushim prej një ore.