Halimi për Haxhiun: Komentimi i verdikteve të gjyqësorit paraqet mësymje antishtet
Zëdhënësja Politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se pushteti i tanishëm ka filluar të transformohet në ‘popullizëm të një niveli të frikshëm, që ka primesa të një paradiktature’, pas komenteve të sotme të ministres Albulena Haxhiu, e cila tha se Gjykata Kushtetuese po i jep ‘goditje’ Republikës së Kosovës, pas vendimit të kësaj të fundit për rrëzimin e ligjit për Këshillin Prokurorial.
Halimi përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se komentimi i verdikteve të gjyqësorit nga një ministre e Drejtësisë, për më tepër të gjyqësisë kushtetuese, ‘është jo vetëm ndërhyrje në drejtësi – në një pushtet të ndarë – por edhe krim, ngase paraqet mësymje antishtet!’.
Postimi i plotë:
Nëse ka diçka sistemore që është respektuar dhe pranuar pa mëdyshje, nga i gjithë spektri politik në Kosovë, ato janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një bartësje të pushtetit politik si Albulena Haxhiut megjithatë nuk po i pëlqen kthimi në zero i Ligjit për Këshillin Prokurorial. Nuk i përshtatet sistemi sepse ka fituar vota duke e kombinuar protestën e ligjshme me dhunën!?
Si Ministre drejtësie, komentimi i verdikteve të gyqësorit, për më tepër të gjyqësisë kushtetuese është jo vetëm ndërhyrje në drejtësi - në një pushtet të ndarë - por edhe krim, ngase paraqet mësymje antishtet!
Nuk mund të synohet “çkapja” e institucioneve siç pretendon partia në pushtet dhe të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Qytetarët e vendit duan sundim të ligjit e jo propagandë.
Në vend se Ministrja e Drejtësisë të jap dorëheqje, për faktin se po i rrëzohen Ligjet nga kushtetuesja, një nga një, pikërisht për tendenca të hapura të kontrollit politik përmes kapjës së institucioneve të drejtësisë, ajo vazhdon me akuza e arsyetime inatçore, deri në shkallë urrejtjeje.
Ky pushtet tanimë ka filluar të transformohet në popullizëm të një niveli të frikshëm, që ka primesa të një paradiktature.
LDK nuk do ta lejojë që vlerat bazë të funksionimit të shtetit demokratik e ku pushtetet janë të ndara, të cënohet me lehtësi të padurueshme!