Mbrojtja: ZPS-ja po gabon, UÇK-ja s’kishte organizim

Mbrojtja: ZPS-ja po gabon, UÇK-ja s’kishte organizim

Aktuale March 20, 2023 - 12:31

Në Dhomat e Specializuara në Hagë mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë përplasur rreth asaj nëse UÇK-ja kishte një organizim të mirëfilltë.

Ish-krerët e UÇK-së morën pjesë në seancën për ecurinë e çështjes përmes video-lidhjes. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat i kanë mohuar.

Në pjesën më të madhe të kësaj seance mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, argumentuan faktin se si UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar dhe se roli i Shtabit të Përgjithshëm ishte i kufizuar dhe me pak ndikim gjatës luftës së viteve 98-99.

Trupi gjykues tha se provat që do të paraqiten në proces gjyqësor nga Prokuroria janë se të akuzuarit kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm që ka pasur kompetenca dhe përgjegjësi të rëndësishme përfshirë disiplinën dhe emërimet.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, tha se UÇK-ja nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë.

“Provat që ne do të paraqesim, gjatë procesit ju do të dëgjoni nga dëshmitarët zinxhirin e komandës në UÇK që ka qenë gjatë viteve 98-99 që ka qenë kaotike, e ndarë në brigada që kanë qenë më vete”, tha Kehoe.

Mbrojtja e të akuzuarve më tej argumentoi faktin se si Prokuroria ka bërë përkufizim të padrejtë në raport me funksionimin dhe funksionet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së duke thënë se UÇK-ja ishte një grup i armatosur joshtetëror. Në këtë diskutim, avokati Kehoe, përmendi po ashtu si dëshmi një dokument të Departamentit amerikan të Shtetit, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përshkruar gabimisht UÇK-në si një organizatë që funksiononte me hierarki lartë-poshtë.

Emmersoni tha se bazuar në provat që do të ofrojnë do të dëshmohet se UÇK-ja nuk kishte organizim dhe se komandantët e Shtabit të Përgjithshëm nuk takoheshin rregullisht dhe në shumë raste nuk njihnin njëri-tjetrin.

“Dy trupa gjykues të Tribulanit të Hagës janë mbështetur pak a shumë në të njëjtat prova që i ashtuquajturi Shtab i Përgjithshëm përbëhej nga një grup i shpërndarë individësh që nuk kishin ndonjë shtab të caktuar dhe madje nuk e njiheshin njëri-tjetrin, dhe jo domosdoshmërish e dinin cilët ishin anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë”, tha Emmerson.

Ai iu referuar aktgjykimeve në rastet kundër Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajt në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi.

Emmersoni shtoi se nuk bëhet fjalë për ushtri kur flitet për UÇK-së dhe citoi një ish-epror të UÇK-së, i cili sipas tij kishte deklaruar se “kam vendosur të jem komandant i atyre që një ditë vendosën të luftojnë”.

Megjithatë, Prokuroria tha se provat dhe materialet e konfiskuara e dëshmojnë se UÇK-ja ka pasur një organizim dhe strukturë udhëheqëse.

“Provat tregojnë dhe materialet që janë konfiskuar se ka pasur një konsolidim dhe funksionim të hierarkisë së saj [UÇK-së]. Shtabi i Përgjithshëm ka pasur kontroll mbi ushtarët e UÇK-së por mënyra se si e ka ushtruar këtë kontroll ka ndryshuar me kalimin e kohës”, tha prokurori Matthew Halling.

Gjykata: ZPS-së do t’i duhen mbi 6 vjet për t’i paraqitur provat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në nisje të seancës, gjykatësi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes që të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve, teksa koha për nisjen e gjykimit po afron.

Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, është caktuar për 3 prill. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas gjykatësit, nëse i referohen përllogaritjeve të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, atëherë i bie që do të duhen 6.5 vjet që ZPS-ja të paraqesë provat dhe të marrë në pyetje dëshmitarët, dhe kjo sipas gjykatësit “është e tepërt”.

Vetëm për 12 dëshmitarët e parë, nëse ZPS-ja vepron sipas përllogaritjeve të paraqitura, gjykatësi tha se do të duhet deri në janar të vitit të ardhshëm të përfundojnë marrjet në pyetje.

Gjykatësi tha se ZPS ka paraqitur 312 dëshmitarë, që i bie 46 dëshmitarë në vit dhe për ta duhen 6.5 vjet për të përfunduar procedurat.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se po punon në rishikimin e kohës e paraparë, përfshirë edhe largimin e disa dëshmitarëve.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tha po ashtu se po koordinohet që nëse dëshmitarët e prokurorisë i referohen vetëm një prej të akuzuarve, ekipet e tjera të mbrojtjes nuk do ta marrin në pyetje.

Ekipi mbrojtës i Thaçit tha po ashtu se vlerësimet kohore të paraqitura për dëshmitarët e mbrojtjes mund të reduktohen, pasi përllogaritjet kohore të paraqitura janë përllogaritjet maksimale.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Ky raport i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015. /Rel