“Prishtina Parking” gjen zgjidhje për dy eurot false

“Prishtina Parking” gjen zgjidhje për dy eurot false

Aktuale March 17, 2023 - 12:59

Ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking” është furnizuar me pajisje për detektimin e monedhave false, disa javë pasi ndërmarrja vendosi të mos pranonte me monedhën metale dy euro.

Të premten e shkuar, “Prishtina Parking” nënshkroi një kontratë me kompaninë e sigurimeve “Pri Sig” për huazim, për një periudhë 12-mujore, të tri pajisjeve për detektimin e monedhave false.

Kontrata vlen rreth një mijë euro, sipas të dhënave të publikuara në platformën e prokurimit publik, e-prokurimi.

“Këto pajisje gjinden ne tri kabinat e parkingjeve me laura. Këto kabina dhe e gjithë hapësira e parkingut janë të monitoruara nga kamerat dhe të siguruara nga kompania e kontraktuar”, thuhet në dosjen e tenderit, shkruan paparaci.

Vendimi i “Prishtina Parking” për mospranimin e monedhave metale 2 euro ka hyrë në fuqi në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas kryeshefit të këtij institucioni, Sokol Havolli, vendimi ishte nxjerrë për shkak të qarkullimit të monedhës dy euro false, që sipas llogaritjeve të tyre “Prishtina Parking” mund të dëmtohet deri në 50 mijë euro në vit.